Rehabilitohen 45 km rrugë/Qafë Qelë-Fushë Arrëz, Qendro: Investimi 8.7 mln euro
Në kuadër të programit të qeverisë për mirëmbajtjen e akseve rrugore kombëtare, Autoriteti Rrugor Shqiptar filloi punën për rehabilitimin e plotë të aksit Qafë Qelë-Fushë Arrëz. Vlera e punimeve rehabilituese në këtë aks me gjatësi 45 kilometra do të arrijë në 8.7 milion euro.
“Një rehabilitim i thellë dhe i plotë i paketës së shtresave asfaltike, nënshtresave, veprave të artit, urat, tombinot, kanalet e kullimit të ujërave dhe sidomos me plotësimin e elementëve të sigurisë rrugore përmes sinjalistikës horizontale dhe vertikale. Për një gjatësi gati prej 12.5 mijë metrash linear ne do të vendosim edhe barrierat mbrojtëse”.
Më tej, ai sqaroi se afati kohor i kësaj kontrate është gati 12 muaj por ARRSH beson se do të arrijë ta mbarojë përpara këtij afati. “Natyrisht ritmet e kantierit do të jenë në varësi të kohës gjatë këtij sezoni të dimrit por mendojmë se përpara vjeshtës së vitit që vjen, ky kantier të jetë mbaruar dhe kjo rrugë të kthehet përfundimisht në parametrat që duhen”, nënvizoi Qendro.
Gjatë vizitës në qytetin e Pukës, Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar zhvilloi edhe një dëgjesë publike me banorët në lidhje me programin e mirëmbajtjes së rrugëve dhe ndikimin e tij në mjedis.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.