Rehabilitohen varrezat e Sharrës – Rikonstruksion tre rrugëve kryesore dhe ambienteve të brendshme
Bashkia e Tiranës ka përfunduar rehabilitimin e plotë i varrezave të Sharrës duke e shndërruar në një vend dinjitoz prehjeje për ata që nuk jetojnë më, por edhe për njerëzit që vizitojnë të afërmit e tyre. Përveç rikonstruksionit të tre rrugëve kryesore, që i vijnë në ndihmë banorëve të zonës, janë rehabilituar edhe mjediset e brendshme të varrezave, si dhe është bërë numërtimi i tyre.
“Kemi sistemuar parkingjet, varrezat murale dhe po mundohemi që ky mjedis të jetë sa më dinjitoz. Ndoshta, lehtësojmë pak dhimbjen e të ardhurit në një vend paqeje, prehjeje e meditimi, se sa në një vend të zaptuar e të dhunuar në çdo cep të tij. Mënyra se si do funksionojnë varrezat e Sharrës janë në formën e një Unaze: futemi nga rruga kryesore në Sharrë, pastaj dalim në rrugën “Lekë Zaharia”, që po ashtu është rehabilituar, por edhe për banorët që janë në gjithë këtë zonë, tashmë ka më shumë civilizim, më shumë urbanizim”.
Kryebashkiaku theksoi se bashkë me projektin e rehabilitimit të varrezave është bërë edhe largimi i të gjitha ndërtimeve pa leje, që ishin bërë pengesë e vazhdueshme për kortezhet apo për lëvizjen e banorëve.
“Më vjen mirë që më në fund i kemi kthyer dinjitetin qytetit, duke filluar nga çeku i bebes, që mungonte prej vitesh, deri tek dinjiteti i varrezave. Më vjen mirë që u bë viti i tretë që nuk kemi asnjë ndërtim pa leje në varreza. Jo vetëm që është ndaluar ndërtimi pa leje në qytet, por është dy herë më fyes kur ka ndërtime pa leje edhe në varreza; jo vetëm kaq, por kemi pastruar të gjithë ndërtimet pa leje në rrugët hyrëse”.
Gjithashtu, krahas investimeve në infrastrukturën rrugore, Bashkia e Tiranës ka vendosur që në këtë vit në çdo investim që kryen të vendosë ndriçim LED.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.