Rekomandimet e Goldman Sachs – Banka e investimeve jep bastet kryesore për 2018-ën
Banka amerikane e investimeve Goldman Sachs ka dhënë rekomandimet për tregtitë në vitin 2018, me bastet që janë përqendruar kryesisht në rritjen e tregjeve në zhvillim dhe pozicioneve për shitje ndaj aktiveve amerikane.
Goldman pret që pasiguria mbi inflacionin dhe tkurrja e bilancit të Rezervës Federale do të sjellë presione ndaj kostove të huamarrjes. Për rrjedhojë, analistët rekomandojnë shitjen e titujve 10-vjeçar të borxhit në SHBA dhe mbyllje të pozicionit nëse yield-i bie në 2%. Goldman Sachs projekton rritjen e valutës europiane dhe pret që të arrijë në 140 kundër jenit japonez, në rritje me 5% nga nivelet aktuale.
Sinkronizimi i rritjes ekonomike globale do të jetë pozitiv për tregjet në zhvillim dhe analistët rekomandojnë blerje në indeksin MSCI Emerging Market. Banka rekomandon gjithashtu bastet për borxhin e tregjeve në zhvillim të denominuar në dollarë, nëpërmjet indeksit JPMorgan EMBI, dhe pozicion për shitje ndaj borxhit mbeturinë në SHBA (iBoxx USD liquid High Yield index).
Analistët flasin gjithashtu për blerje të valutës indiane, të Indonezisë dhe Koresë së Jugut dhe presin rënie për dollarin e Singaporit dhe jenit japonez.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.