Rekomandimi për hapjen e negociatave, reagon Rama: Jemi rekomanduar pa asnjë rezervë nga Këshilli Europian
“Sot kemi kaluar sprovën historike të ngjitjes në një shkallë të re, si vend dhe si popull. Jemi rekomanduar, pa asnjë rezervë, nga Komisioni Europian, si një shtet që mund dhe duhet të ulet në tryezën e negociatave, për të hyrë në familjen e shteteve anëtare të Europës së Bashkuar.”
Kështu është shprehur kryeministri, Edi Rama në një deklaratë për mediat pas marrjes së rekomandimit zyrtar nga Komisioni Europian për nisjen e procesit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Sipas Ramës, rekomandimi është njohja e reformave reale të qeverisë dhe jo një dhuratë apo gjest bujarie nga Komisioni Europian. Ndërkohë, ka shtuar se kjo është edhe periudha marrjes së përgjegjësisë së plotë.
“Periudha e negociatave është periudha e ndarjes përfundimtare të shapit nga sheqeri, në çdo aspekt të jetës së një vendi që synon anëtarësimin në familjen e përbashkët europiane. Është periudha e thellimit të modernizimit të saponisur të shtetit dhe e konsolidimit të institucioneve demokratike të shtetit të së drejtës. Është periudha e marrjes së plotë të përgjegjësive, nga të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, për të përmbushur detyrat e tyre në çdo nivel të pjesëmarrjes në jetën e përbashkët shoqërore.”
Më tej, kryeministri e ka cilësuar këtë një fitore të shqiptarëve dhe jo të një pale politike ndaj palëve të tjera politike.
“Por unë nuk e lexoj rekomandimin e shumëpritur për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, si fitoren e një pale politike ndaj palëve të tjera politike. Sepse kjo nuk është fitorja e partisë që luftoi me gjithsej për këtë ditë, ndaj partive që luftuan me gjithsej për ta shtyrë këtë ditë në pafundësi. Kjo nuk është as fitorja e qeverisë që u angazhua me mish e me shpirt dhe u baltos deri në kockë, në përpjekjen drejt këtij objektivi strategjik për Shqipërinë, mbi opozitën që la kockat në angazhimin e saj për ta bërë të pamundur këtë objektiv. Sot kanë fituar shqiptarët, që të gjithë, pa asnjë dallim e kufi, këtu në atdhe e kudo që janë në emigracion.Sot është Shqipëria që ka fituar një status të ri në shoqërinë e vendeve europiane dhe që gjendet shumë më pranë Europës se dje.”
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.