Rekord ditor me Covid-19 në SHBA. Rreth 40,000 të infektuar. Teksasi ndalon rihapjen e ekonomisë
Rastet me Covid-19 në Shtetet e Bashkuara u rritën me një shifër rekord prej 39,818 në 24 orët e fundit, që është rritja më e madhe ditore gjatë periudhës së pandemisë. Një ditë më parë, u regjistruan rreth 36,000 raste, pranë nivelit më të lartë që nga 24 Prilli. Guvernatori i Teksasit ndaloi përkohësisht rihapjen e shtetit, pasi infeksionet dhe shtrimet në spitalet shënuan një nivel rekord. Teksasi, që ka udhëhequr thirrjet për rihapjen e ekonomive të goditura nga pandemia e koronavirusit, raportoi mbi 6,000 raste në 24 orë, në nisje të Javës.
“Ky ndalim i përkohëshëm do të ndihmojë në kontrollin e infeksionit, derisa të hyjmë në fazën e ardhshme të hapjes së shtetit tonë për biznes”, tha guvernatori, Greg Abbott. Teksasi ka shënuar gjithashtu nivele rekord të shtrimit në spital për 13 ditë me radhë dhe guvernatori ka pezulluar ndërhyrjet kirurgjike jo emergjente në Houston, Dallas, Austin dhe San Antonio, për të liruar spitalet. Shtete të tjera që kanë raportuar rritje rekord të rasteve me Covid-19 janë Alabama, Arizona, Kalifornia, Florida, Idaho, Mississippi, Missouri, Nevada, Oklahoma dhe Karolinat.
Pavarësisht se rritja e numrit të të infektuarve vjen nga rritja e testimeve, përqindja e rezultateve pozitive po rritet gjithashtu. Ekspertët qeveritarë thonë se mbi 20 milionë amerikanë mund të kenë marrë koronavirusin, një shifër 10 herë më e madhe se regjistrimet zyrtare. Barrierat ekonomike po ndikojnë tek kompanitë, ndërkohë që Apple deklaroi se do të mbyllë 14 dyqane në Florida për shkak të rritjes së infeksionit. Më parë, kompania ndoqi një raund të rimbylljeve në Teksas, Arizona, Karolinën e Jugut dhe të Veriut.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.