Rekord i evazionit fiskal për Booking.com – Shmangie TVSH me gati 350 milion euro
Ndërmjetësimi i Booking.com në qiratë e shtëpive private të pushimeve dhe jo vetëm, pa numër TVSH-je, mund të ketë gjeneruar, midis 2013 dhe 2019, një shmangie të Taksës së Vlerës së Shtuar me më shumë se 350 milion euro. Një vlerësim i bazuar në rritjen eksponenciale të këtij lloji rezervimesh, i cili që prej vitit 2017 ka regjistruar një rritje prej 30%, duke tejkaluar shumë më shumë ato të bëra drejtpërsëdrejti nëpërmjet hoteleve.
Dëmi është i dyfishtë: nga njëra anë autoritetet tatimore humbasin një të ardhur të konsiderueshme, nga ana tjetër ekziston një konkurrencë e padrejtë ndaj të gjithë atyre akomodimeve që në vend të kësaj paguajnë tatimin rregullisht. Kjo është pista që po ndjek Prokurori Publik i Genovas në Itali, përmes një hetimi që së shpejti do të çojë në regjistrimet e para të të dyshuarve, me përgjegjësi të drejtpërdrejtë të kompanisë që administrohet nga Glenn Fogel. Në diskutim është një e ardhur e rëndësishme tatimore, e cila i shpëton plotësisht kontrollit.
Hetimi kryhet nga zëvendësprokurori Francesco Pinto dhe zv.drejtori Giancarlo Vona, të cilët po rikrijojnë një të ashtuquajtur “sistem” që lejon që ndërmarrja, me qendër në Holandë, të heqë taksën e vlerës së shtuar, e lidhur ekskluzivisht me ndërmjetësimin për marrjen me qira të shtëpive në pronësi të individëve privatë që nuk kanë numër të TVSH-së. Në këtë rast, në të vërtetë, Booking duhet të veprojë si një agjent mbajtës, duke u regjistruar në Itali ose duke përdorur një përfaqësues tatimor. Në vend të kësaj, taksa nuk është as e deklaruar, për pasojë kompania është nën proces gjyqësor për shkelje të ligjit të krimeve tatimore. (Ilsole24ore)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.