Rekord të ri rastesh me COVID-19 në 24 orë. 3 viktima dhe 70 të shëruar
3 humbje jete me COVID-19 janë regjistruar këtë të diel në vendin tonë, duke çuar në total numrin e viktimave që nga fillimi i pandemisë në 451. Vijojnë të mbeten shumë të larta rastet pozitive të konfirmuar brenda një ditë, ku mësohet se si rezultat 1276 testime kanë rezultuar me COVID 281 qytetarë. Tirana është Bashkia më e prekur, për t’u ndjekur nga Korça, Fieri dhe Elbasani.
“Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID19, një 61 vjeçar nga Lezha, një 81 vjeçare nga Tirana, një 87 vjeçar nga Elbasani”, njofton Ministria e Shëndetësisë.
Teksa numri i rasteve të reja vijon të jetë i lartë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për të shërtuarit. Sot kanë fituar betejën 70 qytetarë. “Janë shëruar 70 qytetarë, duke e çuar në 10,071 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Situata vijon të paraqitet e rëndë në dy spitalet COVID. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 256 pacientë, 25 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar.
Ministria e Shëndetësisë bën apel për respektimin e masave. “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet me një thirrje ndërgjegjjes individuale të secilit prej jush: Tregoni kujdes me respektimin e rregullave sepse shkujdesja e vërejtur favorizon përhapjen e virusit, i cili po prek çdo moshë, pa dallim. Përdoreni maskën kudo në ambientet jashtë shtëpisë, ruani distancën dhe kujdesuni për higjienën”, bën apel ministria.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.