Rekordi i të rinjve shqiptarë – Në Shqipëri dhe Kosovë, çereku as punon e as shkollohet
Shqipëria së bashku me Kosovën kanë normën më të lartë në rajon të të rinjve të cilët nuk shkollohen e as nuk punojnë. Të rinjtë e moshës 15-24 vjeç në vendin tonë që nuk shkollohen e nuk punojnë përfaqësojnë ¼ e totalit. Edhe në Kosovë situata është e njëjtë, me normën që, po aq sa Shqipëria fiksohet në 25.9%. Këtë e thotë Banka Botërore në raportin më të fundit për tregun e punës në vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria dhe Kosova paraqiten në pjesën e sipërme të grafikut.
Për vendet e tjera të rajonit, norma është ndjeshëm më e ulët, duke zbritur deri në 17% në rastin e Serbisë. Gjithsesi, të dhënat tregojnë se në krahasim me vitet 2013-2014, norma e atyre që quhen `Neets` ka rënë ndjeshëm në vendin tonë, pasi 5-6 vite më parë i kalonte të 30%. Ajo që vihet re tjetër nga raporti është fakti se te femrat norma është më e lartë, duke u ngjitur në mbi 27%.
Për meshkujt ndërkohë është diçka më pak se 25%. Sa i përket papunësisë te të rinjtë ndërkohë, situata ndryshon, pasi rezulton se Shqipëria, me 27.3%, ka normën e dytë më të ulët në rajon, pas Malit të zi. Për Kosovën norma fiksohet në 54.9%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.