Remitancat kalojnë vlerën 1.5 milion euro
Të ardhurat vjetore nga diaspora në Kosovë kalojnë shifrën prej 1.5 miliard eurosh, duke përfshirë këtu 665 milionë euro remitanca, 676 milionë euro shpenzime udhëtimi dhe 180 milionë euro investime direkte, shprehet ministri i Diasporës në qeverinë e Kosovës.
Vendet e rezervuara për diasporën në Kuvendin e Kosovës do të ishin zgjidhja më optimale për përfaqësimin e tyre në institucionet kosovare. Megjithatë, sipas Muratit, në një intervistë për “Zërin” kjo iniciativë do të duhet të presë për një kohë, për shkak të vështirësive në ndryshimet kushtetuese dhe vetos së pakicës serbe, gjë që u pa edhe në tentativën për krijimin e ushtrisë.
Ndërsa, duke folur për punën e Ministrisë së Diasporës në ndërtimin e infrastrukturës ligjore, por edhe për shtrimin e rrjetit të shtetit në mesin e biznesmenëve kosovarë në diasporë ministri Murati ka thënë se Ministria ka ndihmuar në krijimin e 23 rrjeteve të bizneseve të diasporës, të cilat sot veprojnë të pavarura.
Madje, sipas tij, kohët e fundit është bërë një punë e mirë edhe me lirimin e pronave të uzurpuara, e cila do të ndikojë në krijimin e një ambienti më të favorshëm për bizneset.
Kurse, duke folur për problemet që emigrantët kosovarë kanë gjatë ardhjes në vendlindje, në veçanti në Serbi, ai ka thënë se Ministria në bashkëpunim me Zyrën dhe Policinë e Kosovës do t’u dalin në ndihmë sa herë që të jetë nevoja.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.