Remitancat vijnë “në xhepa” – Nga 1.25 miliardë euro, më pak se 30% hyjnë nga bankat
Individët morën 44 miliardë lekë ose rreth 360 milionë euro transferta nga jashtë në llogaritë e tyre bankare gjatë vitit të kaluar.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se transfertat nga jashtë në llogaritë e individëve shqiptarë pësuan një rënie të ndjeshme me 23% gjatë vitit të kaluar. Shifra në vetvete dëshmon se transfertat e parave drejt Shqipërisë bëhen në pjesën dërrmuese jashtë kanaleve bankare dhe shpesh në rrugë informale.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar ekonomia shqiptare përfitoi remitanca në shifrën rekord të rreth 1.25 miliardë eurove. Në këtë shifër përfshihen transfertat personale të emigrantëve për familjet e tyre, por edhe të ardhurat nga puna sezonale apo në distancë jashtë vendit. Të ardhurat nga puna përbëjnë një burim në rritje të shpejtë dhe vitin e kaluar kishin vlerën e rreth 310 milionë eurove ose sa një e katërta e vlerës së përgjithshme të remitancave.
Një studim i Bankës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, ka treguar se remitancat janë burim të ardhurash për rreth 26% të familjeve shqiptare.
Por, po të krahasojmë vlerën e remitancave me shumën e transferuar në llogaritë bankare të individëve, rezulton se vetëm 29% e vlerës së remitancave hyn në rrugë bankare. Studimet kanë treguar se kjo lidhet me kulturën e dobët financiare të emigrantëve, por edhe me faktin që një pjesë e madhe e parave vijnë nga aktivitete informale ose edhe të jashtëligjshme.
Pavarësisht nga arsyet, fakt është se kosto e dërgesave të parave në Shqipëri është e lartë, mesatarisht sa 8.9% e vlerës së dërgesës, nga 6.9% që është vlerësimi më i fundit për mesataren globale. Kostot e larta lidhen edhe me faktin që, edhe kur dërgojnë në rrugë formale, shqiptarët vazhdojnë të zgjedhin kryesisht kompanitë e transfertave të parave: rreth 57% e parave dërgohen përmes këtyre institucioneve.
Kjo ndikon ndjeshëm në rritjen e kostove, sepse kompanitë e transfertave të parave zakonisht kanë komisione më të larta.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.