Rënia e bonove – Interesi arrin në 2.46%
Interesat e bonove të thesarit ranë për të katërtin ankand radhazi këtë javë, duke konfirmuar kështu një cikël të ri në zbutje të interesave. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në ankandet e kësaj jave, bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 2.46%, në rënie nga niveli prej 2.81% i ankandit të mëparshëm.
Po ashtu, bonot me maturim 6-mujor pësuan një rënie të interesave në 1.7%, nga 2% që kishte qenë interesi në ankandin e mëparshëm.
Pas rritjes së ndjeshme në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, interesat po stabilizohen dhe arsyeja kryesore është rritja e ndjeshme të kërkesës së tregut financiar për të investuar në bono.
Investitorët po kanalizojnë më shumë fonde drejt këtij tregu, çka sinjalizon një sasi më të madhe likuiditetesh të lira në sistemin financiar.
Nga 11.9 miliardë lekë bono të ofruar në ankande nga Ministria e Financave, kërkesat totale arritën në 19.5 miliardë lekë. Stabilizimi i interesave të bonove pritet të ndikojë në ruajtjen e normave të ulëta të interesit edhe për depozitat bankare dhe kreditë.
Megjithatë, ky cikël i ri i rënies së interesave të bonove nuk pritet të arrijë përmasat e mesit të vitit të kaluar, ku bonot 12 mujore prekën një minimum historik prej 1.24%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.