Rënia në renditjen e “Doing Business”, Bushati propozon ngritjen e një Task-Force
Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, i ftuar në emisionin “Argument” nga gazetari Enio Civici, është shprehur për rënien me 7 pozicione të Shqipërisë në raportin e Bankës Botërore “Doing Business 2018”.
Sipas Bushatit, Shqipëria nuk ka bërë regres në ofrimin e lehtësirave për të bërit biznes, pasi kjo pasqyrohet edhe në shtimin e pikëve të marra në këtë tregues. Për të, vendi ynë nuk mund të përparonte më tepër, edhe për shkak të pengesave nga zhvillimet politike parazgjedhore.
“Nuk është se ne ramë mbrapa. Ecën të tjerët më shpejt, prapë është përgjegjshmëri dhe kjo”.
Kemi rritje krahasuar me veten, por “të tjerët kanë ecur më shpejt. Mos të harrojmë, ka qenë një vit i vështirë, një vit elektoral. Mund të jemi shfokusuar pak nga synimet dhe nga masat që mund të ndërmerrnim. Të mos harrojmë që patëm një 6-mujor të vështirë ku gjysma e administratës nuk ishte në kontrollin tonë teorik. U desh të bëheshin shumë lëshime politike, që në fund fare janë pengesa ekonomike”, tha Bushati.
Për deputetin e PS dhe anëtarin e grupit parlamentar të ekonomisë, raporte të tilla duhen parë jo thjesht si tregues, por edhe duhen analizuar në bazë të efektshmërisë së reformave të ndërmarra.
“Mendoj që do ishte një ide shumë e mirë, pse jo dhe në qeveria do dua ta paraqes, që të fillohet të ngrihet një task-force ose një grup ad-hoc që të merret dhe ta shikojë në këndvështrimin e eficiencës, jo thjesht që të marrë ato indikatorë dhe meqë i nxjerr Banka Botërore, por po të punojmë me indikatorë dhe me një logjikë të tillë ekonomike, ne mund të shikojmë më mirë, të bëjmë një mapping apo një hartë të funksionalitetit të të gjithë reformave dhe të gjithë veprimeve”, tha Bushati.
“Doing Business” konsiderohet si dokumenti më i rëndësishëm krahasues për ekonomi të ndryshme të botës, në bazë të asaj që i ofrojnë sipërmarrjes. Shqipëria këtë vit renditet e 65-ta, përpara në rajon ndaj vetëm Greqisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.