Reshje ekstreme këtë javë në Shqipëri, rrezik përmbytjesh dhe rrëshqitje dherash – Në veri dhe lindje pritet borë
Shqipëria do të përballet me një mot ekstrem që do të sjellë deri në fund të javës një volum të jashtëzakonshëm reshjesh në të gjithë territorin e vendit.
Parashikimi i sinoptikanëve europianë llogarit se deri ditën e diel, në rajonin e Ballkanit dhe veçanërisht në vendin tonë, priten reshje shiu deri në disa qindra litra për metër katror, duke kërcënuar përmbytje dhe rrëshqitje dherash.
Siç duket edhe në hartën e mësipërme, me ngjyrë vjollcë janë zonat ku priten reshjet më të mëdha, ku Shqipëria evidentohet në të gjithë Europën.
Në jugun e vendit, pritet që mbi 500 litra shi për metër katror të bien nga data 28 Nëntor deri më 3 Dhjetor. Në hartë, kjo dallohet falë ngjyrës gri, që përbën maksimumin e reshjeve. Brenda kësaj hapësire përfshihet Gjirokastra dhe Tepelena.
Teksa shirat do të përfshijnë plotësisht të gjithë Shqipërinë, në Veri dhe sidomos në Alpe priten edhe reshje dëborë, sidomos në zonat në lartësi të mëdha.
Në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës priten deri në 125 milimetra dëborë, ndërsa nga 10 mm deri në 30 mm priten edhe në Bajram Curri, Kukës, Peshkopi, si edhe në lindje të rajonit të Tiranës pranë Krastës dhe Bulqizës deri në kufirin me Maqedoninë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.