“Respektoni masat anti-Covid”, Veliu: Nga e enjtja, inspektime në terren dhe ndëshkim për abuzuesit
Duke filluar që nga dita e enjte, kur hyn në fuqi vendimi per mbajtjen e detyrueshme të maskës , patrullat policore do të monitorojnë të gjithë ambientet dhe hapësirat publike. Në një dalje për mediat, Drejtori i përgjithshëm i policisë së Shtetit Ardi Veliu bëri thirrje qytetarëve për respektim korrekt të masave
“Patrullat policore do të monitorojnë në mënyrë rigoroze të gjithë ambientet dhe hapësirat publike ku nga e enjtja do të jetë detyrim mbajtja e maskës. Në çdo rast të konstatimit të shtetasve që u shmangen detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit do të reagojë në përputhje me ligjin dhe detyrat e saj funksionale”– u shpreh kryepolici.
Sipas Veliut Qëllimi kryesor është mbrojtja e popullatës nga rreziqet që paraqet virusi si edhe shmangjen e një mbylljeje të dytë
“Çdo qytetar është i detyruar të mbajë maskën mbrojtëse që në momentin kur del prej shtëpisë së vet. Kjo masë është në përputhje me udhëzimet e dala nga autoritetet shëndetësore. Mbajtja e një maske në fytyrë ul në mënyrë të ndjeshme rrezikun e përhapjes së infektimit. Qëllimi kryesor është të mbrojmë popullatën nga rreziqet që paraqet virusi. Synojmë edhe të shmangim një mbyllje si ajo e pranverës së këtij viti. Për qytetarët është më e lehtë të mbajnë një maskë dhe të zbatojnë rregullat e distancimit social, sesa t’u nënshtrohen kushteve të rrepta të mbylljes” – deklaroi ai.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit theksoi se në çdo rast të konstatimit të shtetasve që u shmangen detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit do të reagojë në përputhje me ligjin duke nënvizuar se qëllimi nuk është ndëshkimi i qytetarëve, por mbrojtja e jetës dhe shëndetit të tyre.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.