Restaurohet shkolla Teknike-Ekonomike Tiranë – Hapet tenderi, mbi 83.3 mln lekë për investimin
Një fond prej më shumë se 83.3 milionë lekë do të vihet në dispozicion për rikonstruksionin e shkollës Teknike-Ekonomike në Tiranë. Ministria e Financave ka hapur procedurat e prokurimit publik për rehabilitimin e godinës e cila është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së I-rë.
Nga detajet e investimit, ndërhyrjet rikonstruktuese do të konsistojnë në përshtatjen e godinës për aksesim nga Persona me Aftësi të Kufizuara, sistemimin e territorit të shkollës duke krijuar edhe hapësira për parkim, shtimin e nyjeve hidrosanitare dhe meremetime apo punime mirëmbajtjeje.
Më konkretisht, grafiku i punimeve përfshin prishje dhe ndërtim të mureve për shtimin e nyjeve higjieno-sanitare, krijimin e dy klasave në katin përdhe, restaurimin e çatisë e dyshemesë, vendosjen e dyerve e dritareve, përmirësimin e sistemit elektrik dhe atë të ngrohjes.
Aktualisht, ndërtesa dykatëshe me një kat nëntokë, i cili sot është i pashfrytëzueshëm nuk paraqet probleme strukturore dhe as problem me lagështinë nga çatia.
Operatorët ekonomikë do të mund të dorëzojnë kërkesat e tyre deri më datë 25 mars, ndërkohë që kohëzgjatja e kontratës është përcaktuar 150 ditë që nga firmosja e saj.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.