Rezerva valutore – Në rritje edhe këtë vit, ka arritur në 3.3 mld euro
Rezerva valutore e vendit është rritur më tej gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit maj vlera e mjeteve të rezervës ka arritur në rreth 3.3 miliardë euro, në rritje me 16% krahasuar me një vit më parë. Në harkun e pesë viteve të fundit, vlera e rezervës valutore të Shqipërisë është rritur me rreth 65%.
Shqipëria ka ngritur një rezervë valutore sa rreth 25% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, nivel ky që mund të konsiderohet mjaft i lartë, krahasuar me ekonomitë që kanë tipare të ngjashme. Po të kemi parasysh se për vitin e kaluar deficiti i llogarisë korrente ishte më pak se 3% e Prodhimit Kombëtar, Shqipëria ka një mbulim mjaft të kënaqshëm kundrejt nevojave eventuale të ekonomisë.
Qëllimi kryesor i rezervës valutore është pikërisht mbulimi i nevojave që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Gjithashtu, rezerva valutore mund të përdoret në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, të cilat mund të përbëjnë shqetësim për stabilitetin makroekonomik të vendit. Rritja e rezervës valutore u vendos nga Banka Qendrore me këshillimin e institucioneve ndërkombëtare, si një masë për të forcuar garancitë rreth stabilitetit financiar të vendit. Euorizimi i lartë i sistemit financiar, në teori, mund të krijojë nevoja për likuiditet në monedhën europiane dhe Banka e Shqipërisë do që të jetë e përgatitur për një eventualitet të tillë.
Blerja e euros do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti, kur janë parashikuar të zhvillohen gjithsej 17 ankande me këtë qëllim. Vitin e kaluar, shuma e valutës së blerë në këto ankande ishte rreth 124 milionë euro.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.