Rezervat globale në valutë, FMN: Përqindja e dollarit bie në nivelin më të ulët në 4 vite
Pjesa e dollarit amerikan në rezervat globale në valutë të raportuara te Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rënë në tremujorin e fundit 2017 në nivelin më të ulët në 4 vite, ndërkohë që përqindja e rezervave në valuta të tjera është rritur.
Rezervat në dollarë kanë rënë për 4 tremujorë radhazi, ndërkohë që valuta amerikane është dobësuar në vitin e kaluar prej pritshmërive se edhe banka të tjera qendrore do të nisin tkurrjen monetare. Pavarësisht rënies, dollari zë ende pjesën më të madhe të rezervave në valutë.
Rezervat globale janë aktive të bankave qendrore të mbajtura në valuta të ndryshme, që përdoren kryesisht për të mbështetur pasivet e tyre. Bankat i kanë përdorur disa herë rezervat për të suportuar valutat respektive.
Rezervat e mbajtura në dollar amerikan u rritën në 6.28 trilionë dollarë, apo 62.7% të totalit gjatë tremujorit të fundit 2017, krahasuar me 6.13 trilionë apo 63.5% të totalit që ishte në tremujorin e tretë.
Pjesa e dollarit në rezervat në valutë në të gjithë botën ka arritur nivelin më të ulët që prej tremujorit të katërt 2013, ku preku 61.2%, sipas të dhënave të FMN. Rezervat globale në euro, që mbajnë vendin e dytë pas dollarit, arritën në 20.15% në tremujorin e katërt, në rritje nga 20% që ishin në të tretin.
Kjo është përqindja më e madhe në 3 vite, por poshtë majës së arritur në vitin 2009 prej 28%. Të dhënat e FMN treguan se rezervat globale në valutë u rritën në 11.425 trilionë dollarë, që është niveli më i lartë që prej tremujorit të dytë 2015.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.