Rezultati i Credit Suisse – Humbja e tretë radhazi vjetore për 2017-ën prej reformës tatimore
Banka zvicerane Credit Suisse publikoi një humbje më të ulët se ç’pritej për 2017-ën në 983 milionë franga (1.05 mld USD), për shkak të ndikimit nga reforma tatimore në SHBA.
Analistët prisnin që banka e dytë më e madhe në Zvicër të publikonte një humbje prej 1.1 miliardë franga, për shkak të reduktimit në vlerë të aktiveve. Fitimi përpara taksave në 1.793 miliardë franga ishte në linjë me projeksionet e analistëve.
Aktivet e reja neto në biznesin e manaxhimit të aktiveve u rritën me më shumë se 25% vitin e kaluar, në 37.2 miliardë franga, ndërsa aktivet nën manaxhim u rritën me 13% në një rekord prej 772 miliardë.
“Në 2018-ën ne do të fokusohemi në gjenerimin e vlerës për klientët dhe aksionerët tanë, që është viti i fundit nën planin e ristrukturimit”, tha kreu ekzekutiv Tidjane Thiam.
Grupi bankar bëri të ditur se do të propozojë një reduktim të dividentit në 0.25 franga për aksion, krahasuar me 0.7 franga në vitin 2016. Plani i kreut ekzekutiv, që u caktua 3 vite më parë, përfshin reduktimin e biznesit të bankingut të investimeve dhe përqendrimin në bankingun privat.
Megjithatë, rrëzimi i një prej produkteve mbi luhatshmërinë dhe 2 padi nga Shtetet e Bashkuara mbi aktivitetet e bankës, kanë shkaktuar dyshime mbi strategjinë.
“Në gjashtë javët e para të 2018-ës kemi vëzhguar një rritje të madhe të luhatjeve në tregje, që nga njëra anë ka ndikuar pozitivisht në aktivitetet tona dytësore, ndërsa nga ana tjetër, ka cenuar aktivitetin e klientëve, ndërkohë që presin për qetësi në tregje në mënyrë që të bëjnë transaksione”, deklaron Credit Suisse.
Në javët e fundit, banka është përballur me mbikëqyrje rregullatore për produktin e famshëm që ndjek qetësinë e tregjeve në SHBA, bast të cilin grupi e ka përfunduar pas humbjeve të mëdha, gjatë trazirave të kohëve të fundit në tregjet e kapitalit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.