Rezultati i bankave amerikane – Citi: “Ndalimi” i Fed do ndikojë treguesit e përfitueshmërisë
Bankat amerikane kanë raportuar rezultate mikse financiare për tremujorin e parë deri më tani.
Megjithatë, sipas analistëve të Citi, ky pritet të jetë tremujori me performancën më të mirë të vitit për sektorin bankar, veçanërisht nëse Rezerva Federale nuk vazhdon me tkurrjen monetare. Pesë prej gjashtë bankave më të mëdha amerikane, kanë publikuar rezultatin financiar për tremujorin e parë gjatë javës.
Ndër to, JP Morgan, Bank of America dhe Wells Fargo raportuan fitime tremujore që kaluan pritshmëritë, ndërsa Goldman Sachs dhe Citi, dështuan të arrijnë projeksionet mbi të ardhurat. Morgan Stanley pritet të raportojë më vonë gjatë javës. Ndërkohë që Rezerva Federale ka sinjalizuar ndalimin e rritjes së normave të interesit për këtë vit, aftësia e industrisë bankare për të gjeneruar fitime më të larta në muajt e ardhshëm mund të jetë e limituar, sipas analistëve të Citi.
Banka bëri të ditur se tregues të përfitueshmërisë, veçanërisht marzhi neto i interesave, ndodhen në kulmin e vet për vitin. Marzhi neto i interesave është një tregues që monitorohet gjerësisht për të matur përfitueshmërinë në huadhënie të bankave. Ndalimi i rritjes së interesave nga Rezerva Federale nënkupton se bankat mund të mos kenë mundësi të ngarkojnë më shumë interesa për kreditë në muajt e ardhshëm.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.