Rezultati i British Telecommunications – Të ardhurat nën projeksionet, do shkurtojë 13,000 vende pune
British Telecommunications do të shkurtojë 13,000 vende pune administrative dhe manaxheriale dhe do të zhvendoset në një bazë më të vogël në Londër. Kreu ekzekutivi i kompanisë, Gavin Patterson u përpoq të qetësojë aksionerët duke paguar dividentët e BT dhe rënë dakord për një plan të ri të financimit të pensioneve.
Megjithatë, projeksionet se do të duhen 3 vite deri sa firma të rikthehet në fitim, sollën rënien me 9% në vlerë tregu. Udhëzimi për vitin fiskal aktual ishte më i ulët se ç’pritej, ndërsa të ardhurat për tremujorin e fundit ranë poshtë objektivit.
Kjo tregon sfidat që përballet kreu ekzekutiv, ndërsa përpiqet të riorganizojë një grup që punëson më shumë se 100,000 persona. BT, që zotëron operatorin më të madh të Britanisë “Everything Everywhere”, deklaroi se do të punësojë rreth 6,000 inxhinierë të rinj dhe shërbim ndaj klientit, për të mbështetur prezantimin e rrjetit 5G. Strategjia e re përbën përpjekjen e fundit të Pattterson, i cili mori pëlqimin e aksionerëve kur zhvendosi BT te sporti në televizion dhe aparat celular. Ky optimizëm shkoi drejt fundit kur kompania dha një paralajmërim për fitimet në Janar 2017, për shkak të problemeve në njësinë e shërbimeve globale dhe zbulimin e skandalit në njësinë italiane.
Aksionet e firmës, në rënie me 22% deri më tani për vitin, po tregtohen në nivelet më të ulëta që prej vitit 2012. Shkurtimet, që do të jenë më të mëdhatë nga ish-monopoli që prej vitit 2008, do të reduktojnë kostot me 1.5 miliardë paund në 3 vite, sipas kompanisë. Ristrukturimi do të kushtojë 800 milionë paund për t’u zbatuar.
BT ra dakord gjithashtu për një plan 13-vjeçar të financimit për pensionet, që kishte një deficit prej 11.3 miliardë paund në fund të Qershorit 2017. Firma do të paguajë 2.1 miliardë paund drejt skemës deri në vitin 2020 dhe 2 miliardë të tjera do të financohen nëpërmjet emetimit të obligacioneve. Kompania raportoi një rënie me 3% në të ardhurat për tremujorin e fundit, në 5.96 mld paund, duke dështuar të arrijë projeksionet e analistëve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.