Rihapen dyqanet në Venezuelë – Rikthehet energjia elektrike, por pasiguria mbetet e lartë
Pas një krize energjetike që la gjithë vendin pa elektricitet, dyqanet, tregjet dhe biznese të shumta në Venezuelë kanë filluar t`i rikthehen normalitetit.
Edhe situata me energjinë elektrike në vend po normalizohet. Por, pavarësisht kësaj, pasiguria vijon të mbretërojë në një vend ku kriza është ulur këmbëkryq dhe tashmë ka kaluar në një krizë humanitare. Dyqanet e fruta-perimeve janë kthyer në shpëtimin e vetëm për ata që janë të pamundur për të përballuar supermarketet. Në këto të fundit prej kohësh tanimë ka mungesa bazë, dhe kjo ka bërë që çmimet të rriten ndjeshëm.
Kriza energjetike ndërkohë bëri që edhe dyqanet e vogla të mbylleshin. Çmimet në vend janë rritur me rreth 1000% nëpër dyqane si pasojë e pasigurisë dhe mungesave. Radhët e gjata nëpër dyqane janë një pamje më se normale në Venezuelë. Blackout-i elektrik në vend, si pasojë e temperaturave tropikale bëri që shumë ushqime të prisheshin, duke rënduar krizën për këdo.
Presidenti i vendit, Nicolas Maduro fajëson sanksionet amerikane për situatën me energjinë. Lideri i opozitës ndërkohë, Guaido, i cili nga shumë shtete, përfshirë Shqipërinë, njihet si lider i vendit, akuzon Maduron për keqmenaxhim të situatës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.