Rihapet qeveria në SHBA – Dhoma e Përfaqësuesve e voton projektligjin përtej limiteve
Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës miratoi në orët e para të së premtes, rritjen e shpenzimeve qeveritare, duke i dhënë fund një mbyllje shumë të shkurtër të qeverisë amerikane. Në këtë mënyrë, projektligji është dërguar për tu firmosur nga Presidenti Donald Trump.
Të dyja dhomat e kongresit miratuan projektligjin për financimin afatshkurtër të qeverisë dhe i hapën rrugën shpenzimeve më të mëdha të brendshme dhe ushtarake, pasi financimi do të përfundonte në mesnatë.
Për disa momente, qeveria amerikane u mbyll pjesërisht për herë të dytë brenda një muaji. Dhoma e përfaqësuesve e kaloi projektligjin me 240 vota pro dhe 186 kundër, përpara agimit të së premtes.
Marrëveshja ishte mjaft e vështirë, pasi disa konservatorë kundërshtonin rritjen e shpenzimeve, ndërsa liderja e pakicës në Dhomë, Nancy Pelosi dhe demokratët e tjerë kritikuan mungesën e një dispozite për të mbrojtur me mijëra emigrantë të rinj nga dëbimi.
Projektligji do të financojë për dy vite, me 300 miliardë dollarë në shpenzime të brendshme dhe për ushtrinë. Gjithashtu, do të rritet edhe tavani i borxhit, do të autorizohet një shumë prej 90 miliardë dollarë, për fatkeqësitë natyrore të vitit të kaluar dhe do të zgjerohet Programi i Sigurimeve të Shëndetit të Fëmijëve edhe për katër vite.
Tashmë pritet që presidenti Trump, i cili deklaroi më herët se do të dëshironte një mbyllje të qeverisë, të firmosë projektligjin për ta kthyer në ligj.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.