Rikomisionimi për invalidët dhe aplikimi për ndihmën ekonomike, Manastirliu shpjegon procedurat
Ministrja Manastirliu teksa shpjegonte zgjatjen e masave kufizuese për të përballuar situatën e COVID-19 ka bërë të ditur nëpërmjet një video-mesazhi, edhe se si do të funksionojë aplikimi për ndihmë ekonomike nga familjet që e kanë të nevojshme.
Sipas saj, aplikimi për ndihmën mund të bëhet nëpërmjet postës elektronike ose numrit të telefonit të vendosur në dispozicion të çdo bashkie. Në të njëjtën mënyrë, do të pranohen edhe kërkesat e tyre.
Gjithashtu ministrja ka njoftuar se momentalisht nga dyfishimi i ndihmës ekonomike do të përfitojnë 64 mijë familje, të cilat pagesat e tyre do t’i marrin online dhe pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në sportele.
Për personat me aftësi të kufizuara, Manastirliu u shpreh se pagesat e tyre do të vijojnë normalisht, ndërsa rikomisionimet do të zhvillohen pas kalimit nga gjendja e fatkeqësisë natyrore.
Mesazhi i Manastirliut
“Dua të sqaroj për qytetarët se duke filluar nga dita e sotme: Të gjithë familjet dhe individët që përfitojnë ndihmën ekonomike do të përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike pa patur nevojë që qytetarët të paraqiten për të kryer aplikimin për përfitimin e kësaj pagese, pasi ai do të jetë online.
Sipas urdhërit që kam firmosur administratorët shoqërorë të njësive adminsitrave janë përgjegjës për kryerjen e aplikimeve për ndihmë ekonomike duke mundësuar ata vetë kontaktin elektronik ose me telefon për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë aplikuesve për përfitimin e ndihmës ekonomike.
Përjashtimisht, gjatë situatës së fatkeqësisë natyrore, aplikimet për ndihmë ekonomike, do të pranohen nga administratorët shoqërorë të njësive administrative në formë elektronike ose përmes shërbimit postar.
Rreth 64 mijë familje do të përfitojnë nga dyfishimi i pagesës së ndihmës ekonomike përgjatë gjithë periudhës së fatkeqësisë natyrore.
Edhe për personat me aftësi të kufizuar, pagesat do të vazhdojnë pa ndërprerje dhe rikomisionimet e personave me aftësi të kufizuara do të zhvillohen pasi të kalohet gjendja e fatkeqësisë natyrore.”
G.K / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.