Rikonstruksion Bulevardit “Zogu I”/ Bllokim aksesh për 18 muaj, si do qarkullojnë automjetet
Bulevardi “Zogu 1” në kryeqytet, që lidh qendrën me bulevardin e ri, do t’i nënshtohet një rehabilitimi total. Bashkia e Tiranës ka nisur punën për t’i dhënë një pamje të re të gjithë kësaj zone. Krahas punës për rikonstruksionin e këtij Bulevardi, projekti parashikon edhe rehabilitimin e fasadave në të dy anët e tij, krijimin e lulishteve të vogla etj.
Për mbarëvajtjen e punimeve, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit kanë organizuar një plan masash për realizimin në kohë të këtij projekti. Kështu, ka nisur kufizimi i qarkullimit të automjeteve për një afat kohor prej 18 muajsh, në segmentin “Bulevardi Zog I nga rruga “Urani Pano” deri në rrugën “Asim Vokshi”.
Punimet janë ndarë në 4 faza. gjatë fazës së parë,e cila ka nisur zbatimin, është ndaluar qarkullimi në segmentin nga rruga “Urani Pano” deri në kryqëzimin me rrugën “Dervish Hatixhe”. Qarkullimi do të kryhet me dy sense lëvizjeje sipas drejtimit veri-jug.
Ndërkaq, do të pezullohen hyrje-daljet në rrugën “Ferit Stermasi” deri në përfundim të fazës së punimeve. Gjithashtu do të pezullohet parkimi në segmentin nga rruga “Dervish Hatixhe” deri në kryqëzimin me rrugën “Urani Pano” ku do të bëhet dhe qarkullimi sipas drejtimit veri-jug.
Më pas në fazat e tjera do të bllokohen segmentet përkatëse ku do të punohet, ndërsa do të jenë të lira për të qarkulluar segmentet e tjera. Në Bulevard ka edhe tabela sinjalizuese se nga duhet të kalojnë automjetet.
Elisabeta Dosku/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.