Rikonstruksioni i Bibliotekës nr.4, Veliaj: Fond prej 10 mijë tituj librash, do furnizojmë bibliotekat e lagjeve dhe shkollave
Biblioteka nr.4 shumë shpejt do të ketë një ambient të ri, ku çdo banorë në Njësinë 9 mund të lexojë dhe zhvillojë aktivitete të ndryshme sociale e kulturore.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë inspektimit të të punës për rikonstruksionin e bibliotekës theksoi
se investimi në kulturë është investimi më i mirë për të ardhmen e qytetit dhe shoqërisë. Këtë vit, sipas Veliajt do të përfundojnë tre biblioteka lagjesh, ndërsa në të gjitha bibliotekat e Tiranës do të shpërndahen 10 mijë tituj librash.
“Më vjen mirë që në një kohë shumë të shkurtër, pak ditë nga fillimi i punës tek biblioteka “Musine Kokalari”, po nisim punë në bibliotekën e njësisë 9. Kjo është një punë në infrastrukturë, por është edhe një punë në kulturë. Përveç rinovimit të bibliotekave, kjo është e dyta, së shpejti do të kemi edhe një të tretë, kemi krijuar edhe një fond prej 10 mijë tituj librash, të cilët do furnizojnë bibliotekat e lagjeve dhe shkollave”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Ai u shpreh se rikthimi i vëmendjes së të rinjve te leximi është një sfidë e gjithë shoqërisë, por së pari e institucioneve shtetërore në një kohë kur teknologjia po fiton gjithnjë e më shumë terren.
“Sot sfida më e madhe që kanë të rinjtë dhe nxënësit e këtij qyteti është presioni konstant që vjen nga teknologjia. Nuk themi që të jetojmë pa smartphone-t, por nuk mund të jetojmë dot pa libra, kështu që na duhet të gjejmë një balancë”.
Ai bëri të ditur se me nisjen e vitit shkollor dhe akademik Bashkia e Tiranës ka marrë masat që të krijojë më shumë lehtësira që u vijnë në ndihmë kryesisht nxënësve dhe studentëve që vijnë nga rrethet dhe qëndrojnë në konvikte.
“Për herë të parë këtë vit do të punojmë edhe me nxënësit dhe studentët që vijnë për herë të parë në Tiranë. Tirana është një qytet me 1 milion banorë, me shumë konkurrencë, me shumë bërryla. Kështu që, për ata nxënës që vijnë si konviktorë ose studentë për herë të parë në tetor në Tiranë, bashkia do të përgatisë një paketë orientimi që ardhja e tyre të mos jetë aq sfiduese sa ka qenë vitet e tjera”, u shpreh Veliaj.
Projekti i rikonstruksionit të Bibliotekës nr. 4 parashikon prishjen e suvatimit të mureve, tavaneve dhe fasadës së jashtme dhe bërjen e suvatimeve të reja. Do të bëhet hidroizolimi i plotë bibliotekës dhe shtrimi me pllaka, do të vendosen dyer e dritare të reja, si dhe do të bëhet rikonstruksioni i plotë edhe i tualetit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.