Rikonstruksioni i “Vasil Shanto” – Krahas infrastrukturës u buxhetuan 3 mijë bursa për nxënësit ekselentë
Krahas përmirësimit të infrastrukturës për mësimdhënie, Bashkia e Tiranës do të vijojë mbështetjen me bursa për nxënësit ekselentë. Këtë gjë ka bërë të ditur kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë inspektimit të punimeve për rikonstruksionin e shkollës 9 vjeçare “Vasil Shanto”.
Kreu i bashkisë deklaroi se për këtë vit janë buxhetuar 3 mijë bursa për më të mirët. Rreth 120 më shumë se një vit më parë.
“Këtë vit kemi buxhetuar 3 mijë bursa për nxënësit ekselentë. Vitin e kaluar kishim rreth 2880, një nismë që u fillua nga Edi Rama kur ishte kryetar bashkie, dhe më vjen mirë që e kemi rikthyer për nxënësit me dhjeta. Kështu që kemi planifikuar më shumë bursa këtë vit, me shpresë që do të kemi më shumë nxënës me dhjeta”, tha Veliaj.
Veliaj siguroi se në shtator shkolla “Vasil Shanto” do të jetë gati për të pritur nxënësit.
Gjithashtu, kreu i Bashkisë kërkoi mirëkuptimin e tregtarëve, të cilët shesin në ambientet e shkollës, që të zhvendosen në tregjet e licencuara nga Bashkia dhe që ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme.
“Dua t’u kërkoj me mirëkuptim të gjithë atyre që prej vitesh në mënyrë abuzuese shesin në perimetrin e shkollës “Vasil Shanto” produktet e tyre ushqimore. Ky nuk është një treg, ky është një institucion arsimor. Tregu është vetëm 50 metra larg, ku ka ende hapësira bosh. Unë e kuptoj që nuk është e këndshme asnjëherë të shikosh policët bashkiakë që mundohen të lirojnë trotuaret, por duhet të kuptoni që për sa kohë që ky qytet i ka tregjet, e ka pazarin e madh, ka disa hapësira të vogla pothuajse në çdo lagje, është shumë e rëndësishme që të shesim aty”, deklaroi Veliaj.
Projekti i nisur nga Bashkia e Tiranës parashikon ndërtimin e ambienteve të reja teknike, magazinë, rikonstruksionin total të dyshemesë së palestrës, nyjet sanitare duke përfshirë edhe zëvendësimin e rrjetit të furnizimit me ujë, rrjetit të shkarkimeve, zëvendësimin e pajisjeve hidrosanitare.
Gjithashtu një kujdes po i kushtohet edhe sistemimit dhe gjelbërimit të territorit të jashtëm.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.