Rikonstruktohet biblioteka e Njësisë 7 – Veliaj: “Deri në fund të mandatit rikonstruktojmë të gjitha bibliotekat”
Projekti për rigjallërimin e bibliotekave në çdo lagje të Tiranës po vijon me rikonstruksionin e bibliotekës në Njësinë nr.7, e cila po merr formën e një hapësire të veçantë për të rinjtë dhe komunitetin e zonës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga kreu i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, inspektuan punimet që po kryhen në bibliotekën e Njësisë 7, ku theksuan se investime të tilla janë garanci për të ardhmen e qytetit.
“Bashkia e Tiranës bën shumë investime të dobishme në infrastrukturë: rrugë, kanalizime, rrjet ujësjellësi, kënde lodrash për fëmijë, por unë besoj se investimi më i dobishëm është investimi në kulturë. Investimi që nisim sot në bibliotekën “Musine Kokalari”, është një investim inteligjent sepse e kthejmë këtë hapësirë në një qendër komunitare, jo vetëm për nga numri i titujve të librave, por edhe kushtet infrastrukturore”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Kreu i bashkisë njoftoi se këtë vit bashkia do të rikonstruktojë edhe dy biblioteka të tjera, ndërsa deri në fund të mandatit do të përfundojë të gjitha bibliotekat e lagjeve, me qëllim që ato të shërbejnë jo vetëm si qendra leximi, por edhe si qendra komunitare, ku banorët mund të zhvillojnë aktivitete të ndryshme.
“Duke investuar në biblioteka të tilla është e vetmja garanci që kemi për Tiranën moderne. Duam që bibliotekat të funksionojnë edhe si qendra komunitare, si vende ku të rinjtë të takohen, ku organizatat lokale të komunitetit të mblidhen, e ku grupe veteranësh apo pensionistësh të kalojnë kohën e tyre të lirë, të lexojnë shtypin e ditës falas etj”, shtoi Veliaj.
Sipas Veliajt, krahas rikonstruksionit të godinave të bibliotekave do të punohet paralelisht edhe për pasurimin e tyre me sa më shumë tituj librash. Për këtë, ai ftoi qytetarët dhe biznesin që të kontribuojnë.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.