Rikonstruktohet shkolla “Ismail Qemali” – Veliaj: Ulet numri i nxënësve në klasa, eliminohet mësimi me dy turne
Së shpejti shkolla “Ismail Qemali”, do të ofrojë ambiente komode për nxënësit e kryeqytetit. Bashkia e Tiranës po i jep dorën e fundit punimeve për rikonstruksionin e plotë të klasave, palestrës dhe ambienteve sportive të jashtme, ndërsa ka instaluar edhe sistemin e ngrohjes qendrore. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se pas rikonstruksionit nxënësit do ta gjejnë shkollën e tyre më të bukur dhe me kushte shumë herë më të mira, ndërsa theksoi se theksoi se me hapjen dhe shtimin e kapaciteteve në disa shkolla të tjera, edhe në këtë shkollë është ulur numri i nxënësve nëpër klasa.
“Pra, nga një shkollë me 40-50 nxënës në klasë, bëhet një shkollë me 32 nxënës në klasë. Kjo do të thotë se ka më pak nxënës për të njëjtin mësues, rrjedhimisht më shumë vëmendje për secilin nxënës dhe një shans më të madh që secili nxënës të dalë akoma edhe më mirë në mësime. Por, ky lajm i mirë ka gjasa të tundohet nga një presion konstant që vjen nga prindërit. Këshilla ime për prindërit është kjo: nëse jeni banorë të zonës, të Njësisë 2 që iu prek ky pellgu i “Ismail Qemalit”, atëherë kjo është shkolla juaj. Nëse jeni më afër me “Abdulla Ketën” në Shkozë, nëse jeni më afër me “Sandër Prosin” në Sauk, atëherë mënyra më e mirë është për të regjistruar fëmijët atje. Duke i regjistruar nxënësit atje, do të thotë që do kalojnë më pak kohë në rrugë vajtje-ardhje, më pak vara-vingo dhe më shumë kohë me librat”, u shpreh Veliaj.
Gjithashtu, ai shtoi se nuk ka asnjë arsye që prindërit dhe nxënësit të kërkojnë të regjistrohen vetëm në ato shkolla që në të shkuarën kanë patur më shumë reputacion se të tjerat, pasi sot të gjitha shkollat ofrojnë standarde mësimdhënie dhe kushte shumë të mira.
“Sot portali i mësuesve po çon mësuesit më të mirë në vendet e reja që hapen. Do të thotë që mësuesit janë po aq të shkëlqyer në të gjitha shkollat. E kuptoj që disa njerëz vazhdojnë me nostalgjinë dhe reputacionin e dikurshëm, por nuk jemi në vitet ’70-’80. Shkollat që ishin të mira në atë kohë, në kohën e gjyshërve apo prindërve tanë, nuk janë detyrimisht më të mirat sot. Ndaj, këshilla ime është kjo: mos u ushqeni nga mania për t’i futur fëmijët në një klasë me 50-60 të tjerë, ndërkohë që shkolla sot kalon me 32 nxënës; ama shkollat e tjera që kanë ende vende bosh mund të akomodojnë ata që janë banorë respektivisht të Shkozës apo të Saukut”, shtoi kreu i bashkisë.
Veliaj bëri të ditur se shumë shpejt nis ndërtimi i 17 shkollave të reja në kryeqytet, çka jo vetëm do të ulë numrin e nxënësve në klasa, por edhe do t’i japë fund mësimit me dy turne.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.