Rikthehen tensionet gjeopolitike – Korea e Veriut paralajmëron për tjetër test bërthamor
Tregjet aziatike janë mbyllur në rënie në sesionin e fundit të kësaj jave, ndërsa tregjet europiane, pas një starti në territor negativ, në orët e pasdites janë kthyer në rritje. Në kontinentin e vjetër, performacën më të dobët e realizon sektori i lëndëve të para, me rreth 1%, për shkak të vendimit të Standard and Poor’s për të zhvlerësuar borxhin e Kinës.
Përsa i përket korporatave, prodhuesi francez i çelikut, Arcelormittal, është në rënie me rreth 1.5%, pasi përballet me konkurrencën në këtë treg, pas lajmeve se Tata Steel dhe Thyssenkrupp do të bashkojnë operacionet në Europë.
Në anën tjetër, kompania e prodhimeve kozmetike, L’Oreal, është ndër performueset më të mira në rritje me rreth 3.5%, për shkak të lajmeve se, 94-vjeçarja Liliane Bettencourt, që ishte aksioneria më e madhe e kompanisë, u nda nga jeta.
Kjo ka rritur mundësitë që Nestle të kërkojë një çmim më të lartë për aksion. Gjithsesi, fitimet janë kufizuar nga shqetësimet gjeopolitike dhe fokusi është përqendruar edhe tek Brexit, përveç tensionit në gadishullin korean.
Gjatë natës, ministri i jashtëm i Koresë së Veriut, deklaroi për gazetarët në Nju Jork se vendi komunist do të kryejë një tjetër test bërthamor në Oqeanit Paqësor, të një shkalle të paparë deri më tani.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.