Rikthehet Ligji për Kadastrën – Mazhoranca pranon dekretin e Metës, Bylykbashi: Po krijohet monstra e pronave
Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi dekretin e Presidentin për rishikimin e disa pikave të Ligjit për Kadastrën, i votuar me votat e mazhorancës pak ditë më parë. Në dekretin e tij, Presidenti kërkoi ndryshimin e pesë neneve, të cilët, sipas tij, krijonin probleme për qytetarët dhe instucionet.
Ato kishin të bënin kryesisht me faktin që ky superistitucion i pronës në vend kalonte në varësi të kryeministrit, me mungesën e një formule për dëmshpërblimin e qytetarëve që dëmtoheshin prej kadastrës, dhe për disa referenca që bazoheshin te një ligj tjetër i pronës i cili nuk ka hyrë ende në fuqi.
Mazhoranca pranoi rishikimin e 22 neneve ku ai i referohet Ligjit për përfundimin e Proceseve Kalimtare të Pronës, i cili nuk ka hyrë ende në fuqi, ndërkohë që la të paprekura ndryshimet e tjera të propozuara nga Zyra e Presidentit.
Deputetët e opozitës akuzuan se krijimi i një zyre që përmbledh të gjitha çështjet e pronës në vend është një përpjekje për të vijuar vjedhjen e pasurive të shqiptarëve në emër të një grupi oligarkësh.
Ligji parashikon bashkimin e Hipotekës, ALUIZNIT dhe Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike nën një institucion të vetëm të quajtur Agjencia Shqiptar e kadastrës.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.