“Rikthimi i heshtur” i turistëve polakë – Instat: Çdo muaj nga 1.000 turistë më shumë!
Polakët janë rikthyer në Shqipëri! Sipas publikimit më të fundit të Institutit të Statistikave mbi lëvizjen e shtetasve të huaj në Shqipëri, gjatë pesëmujorit të parë të 2021, duket se turistët polakë kanë nisur lehtas të rigjejnë rrugën për në territoret vendase.
Referuar këtyre të dhënave, në janar – maj 2020, në Shqipëri ka pasur 1 mijë e 431 hyrje të shtetasve nga Polonia, ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit aktual, kjo shifër arriti në 6 mijë e 407.
Zvicra po ashtu ka rritur “vizitat” në Shqipëri në pesëmujorin e parë, me 3.2 herë. Instat tregon se në janar – maj 2020, në vend ka pasur 3 mijë e 253 hyrje zvicerane, ndërsa në janar – maj 2021, ky zë është regjistruar në 10 mijë e 465.
Ndërkaq, në një panoramë të përgjithshme, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë pesëmujorit të parë të 2021 është 1.083.538, duke u rritur me 1.8 herë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.