“Rilindja Urbane”, ministrja Gjermeni: 33 projekte të reja për vitin 2017
Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve miraton 33 projekte të reja të infrastrukturës urbane nga veriu në jug, duke e çuar kështu numrin e projekteve që janë financuar nga kjo qeveri në 367.
Lajmi u dha nga ministrja Eglantina Gjermeni nga qyteti i Fierit, ku inspektoi 4 prej 14 projekteve të përfituara nga Bashkia e Fierit prej Fondit për Zhvillimin e Rajoneve në periudhën 2014 – 2016 me një vlerë totale prej 2 miliard lekësh.
“Disa nga bashkitë projektet, e të cilave u miratuan për financim dje janë Bulqiza, Kukësi, Klosi, Kruja, Libohova, Finiqi, Poliçani, Vau i Dejës, Maliqi, Pogradeci, Kolonja, Mallakastra, Hasi, Kuçova, Librazhdi, Gramshi, Vlora. Është e vërtetë se punën e nisëm në vitin 2014, duke nxitur dhe inkurajuar zhvillimin e qendrave të qytetit, por larmia e projekteve që kemi mbështetur dhe kemi realizuar ka qenë e shumtë. Theksoj këtu se nga qendrat e qyteteve është kaluar në blloqe banimi, në zona rurale, në rrugët lidhëse, në tregje, duke nxitur edhe zvogëluar diferencat mes zonave rurale dhe urbane”, tha ministrja në deklaratën e saj për mediat.
Brenda vitit 2017, qytetarët e Fierit do të kenë tërësisht të rikonstruktuara parkun qendror, parkun pranë bar “Rinisë” , të parin treg bujqësor të zonës por edhe pamje tërësisht të re të bulevardit “Ramis Aranitasi”. Këtyre projekteve i shtohet edhe projekti i miratuar dje nga KZHR: “Rehabilitimi i fasadave dhe rikonstruksioni i rrugës “Rauf Nasufi”, si dhe rijetëzimi i hapësirës së terminaleve të autobusëve” me vlerë 143 milion lekë.
“ Në Fier kemi zbatuar 8 projekte të infrastrukturës urbane; po ndërtojmë 2 bulevarde, një treg bujqësor e shumë shpejt për fëmijët e të moshuarit do kenë më shumë hapësira shplodhëse në dy parqet që përfundojnë së shpejti. Të gjitha projektet e zbatuara gjatë kësaj periudhe kanë pasur një impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të jetës së qytetarëve dhe zhvillimit të bizneseve vendase. Unë dua edhe një herë t’i bëj apel kryetarëve të bashkive për përfundimin e projekteve që financohen nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve me cilësi brenda vitit buxhetor 2017”, tha ministrja Gjermeni.
Janë mbi 80 projekte të Rilindjes Urbane që pritet të përfundojnë gjatë këtij viti, 4 prej të cilëve janë në zbatim e sipër në qytetin e Fierit. Një prej projekteve të rëndësishme është ai ndërtimi i tregut të produkteve bujqësore me vlerë 58 mln lekë. Ky projekt që i shërben mbi 190 mijë banorëve dhe 1 mijë bizneseve ka ndikim të menjëhershëm në jetën e qytetarëve nëpërmjet tregtimit të frutave e perimeve sipas kushteve bashkëkohore, zhvillimin e ekonomisë vendase dhe rritjen e kujdesit ndaj shëndetit të qytetarëve.
Osman Dedja/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.