Rimbursimi i ilaçeve për Covid-19 – Si mund të gjeni online kush është mjeku juaj i familjes ? Shërbimi i ri në e-albania
Portali qeveritar e-albania nëpërmjet identifikimit mundëson gjetjen e mjekut të familjes për personat të cilët nuk e njohin ose nuk kanë pasur ndonjëherë nevojë për shërbim spitalor.
Por duke qenë se jemi në Periudhë pandemie dhe komunikimi me mjekun e familjes është i domosdoshëm, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për rimbursimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë të personave të diagnostikuar me Covid-19.
Sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve: “Mjeku i familjes, për personat e testuar pozitiv për Sars-Cov-2 (të konfirmuar nga institucionet shëndetësore publike përgjegjëse), në përputhje me formën e sëmundjes dhe indikacionet e përcaktuara në udhëzuesin e miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, lëshon recetën me rimbursim, sipas rregullave të përcaktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Për diagnozën COVID-19, e gjithë popullata konsiderohet përfituese nga skema e sigurimeve shëndetësore, duke u regjistruar dhe identifikuar si e siguruar” përcaktohet në vendim.
Por si të gjeni kush është mjeku juaj i familjes në portalin e- albania ?
Nëpërmjet identifikimit në portal, duhet të klikoni mbi ‘kërko shërbimin’ dhe të shkruani: ‘Rekomandimet e mia të lëshuara nga mjeku i familjes’ më pas shtypni tabin ‘përdor’ dhe aty do të shfaqet mjeku juaj i familjes së bashku me numrin e kontaktit.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.