Rimbursimi i TVSH, bizneset “buzëqeshin” falë zgjedhjeve – Rekord likuidimesh, Qeveria shlyen 78 milionë dollarë detyrime. Stoku në nivele të papërfillshme
Si rrallë më parë, bizneset që presin rimbursimin e TVSH-së nga shtetin po buzëqeshin gjatë vitit zgjedhor 2021. Qeveria ka miratuar thuajse të gjitha aplikimet për rimbursim gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, duke bërë që stoku total i detyrimeve të bjerë në më pak se 17 milionë dollarë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve raporton se në fund të tremujorit të dytë të 2021, stoku i rimbursimit të TVSH-së kapi vlerën rreth 1,72 miliard lekë, duke shënuar një rënie me 85 % krahasuar me stokun në fund të tremujorit të dytë 2020 dhe një rënie me 71 % krahasuar me stokun ne fund të tremujorit paraardhës.
Sipas administratës tatimore, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021, janë rimbursuar gjithsej 7,80 miliard lekë, afërisht 78 milionë dollarë. Gjatë këtij tremujori, rreth 4,20 miliard lekë e vlerës së rimbursuar shkoi për pagesën e kësteve për tatimpaguesit e mëdhenj në listën e tatimpaguesve me këste.
Gjatë tremujorit të dytë të 2021, pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së janë regjistruar 473 kërkesa për rimbursim (nga 420 që ishin ne tremujorin e dytë 2020) me vlerë rreth 6,243 miliard lekë, nga të cilat janë pranuar 353 kërkesa me vlerë rreth 4,776 miliard lekë dhe 120 kërkesa me vlerë rreth 1,467 miliard lekë nuk janë pranuar për mosplotësim të kritereve ligjore. Në fund të tremujorit të dytë u bë likuidimi total për tatimpaguesin Trans Adriatic Pipeline AG Albania i cili ka patur pjesën më të madhe të stokut të rimbursimit të TVSH-ë gjatë viteve të fundit.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.