Rimëkëmbet Japonia! Ekonomia rritet prej shpenzimeve konsumatore dhe investimeve
Ekonomia e Japonisë u rrit sipër projeksioneve në tremujorin e dytë, duke marrë nxitje nga shpenzimet e konsumatorëve dhe të bizneseve. Ekonomia e tretë më e madhe në botë është rimëkëmbur nga tkurrja në fillim të vitit, megjithatë, tensionet globale mbi tregtinë shihen si rreziku kryesor ndaj eksporteve dhe investimeve.
Rimëkëmbja e shpenzimeve konsumatore mirëpritet nga Banka e Japonisë, por nuk ka gjasa të sjellë ndryshim në qasjen ndaj politikave monetare.
Ndërkohë që analistët presin që ekonomia të mbajë një rritje të qëndrueshme, disa të tjerë thonë se tensionet tregtare do të godasin eksportet dhe sektorin e manifakturës, që janë nxitës kryesorë të ekonomisë.
“Gjërat po përmirësohen, por tensionet tregtare mes Kinës dhe SHBA, kanë sjellë shumë pasiguri për të ardhmen”, tha Ministri i Financave Taro Aso. Ekonomia e Japonisë u rrit me 1.9% me bazë vjetore në tremujorin e dytë, sipër projeksioneve prej 1.4%. Rezultati erdhi pas një tkurrjeje me 0.9% në tremujorin e parë, që solli fundin e peformancës më të gjatë të rritjes që prej viteve 80. Krahasuar me tremujorin e parë, Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 0.5%, sipër projeksioneve prej 0.3% dhe tkurrjes prej 0.2% në fillim të vitit.
Duke treguar për një rimëkëmbje të zgjatur të ekonomisë, kërkesa e brendshme ishte nxitësi kryesorë për tremujorin e dytë. Konsumi privat, që zë 60% të ekonomisë, ishte kontribuesi kryesor, duke u rritur me 0.7%. Kjo erdhi prej kërkesës së madhe për makina dhe pajisje shtëpiake.
Shpenzimet kapitale (CAPEX) u rritën me 1.3%, sipër projeksioneve të analistëve. Megjithatë, mjedisi i jashtëm ishtë më pak i favorshëm, pa patur ende ndonjë ndikim direkt në eksporte nga lufta tregtare. Tregtia neto i hoqi 0.1% rritjes ekonomike.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.