Rinasi i kthehet normalitetit – Disa kontrollorë kthehen në detyrë, Balluku: Plani i pengmarrjes dështoi
Pas 48 orësh bllokim kanë nisur fluturimet e linjave ajrore për pasagjerët në aeroportin e Rinasit. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që prej orës 9:00 të së premtes operimet në këtë aeroport dhe hapësirën ajrore iu kthyen normalitetit, një situatë që u paralajmërua një ditë më parë edhe nga ministrja Belinda Balluku. Ndërkohë që, edhe të dhënat nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” tregojnë se ishin disa avionë u ulën apo u ngritën përmes Rinasit. Ndërkaq, përmes një statusi në rrjetet sociale, Balluku bëri me dije se kontrollorët shqiptarë janë kthyer në detyrë.
“Albcontrol në normalitet. Kontrollorët e kthyer në përgjigje të apelit tonë janë në krye të detyrës. Drejtësia të zbardhë deri në fund ngjarjen e rëndë. Plani i pengmarrjes dështoi”.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk bën me dije numrin e kontrollorëve që kanë pranuar të rikthehen në detyrë, ndërkohë që përfaqësues të këtij dikasteri bënë me dije për TV SCAN se aktualisht në ambientet e punës janë present edhe kontrollorët turq dhe grekë, të cilët janë në mbështetje të kontrollorëve shqiptarë. Fluturimet nga aeroporti i vetëm në vend u ndërprenë në datë 7 prill, pasi kontrollorët e trafikut ajror nuk pranuan të ushtronin detyrën, në kushtet kur prej datës 24 prill 2020 iu është reduktuar paga, ndërkohë që përgjatë 11 muajve Sindikata e Pavarur e Trafikut Ajror ishte refuzuar nga institucionet shtetërore për t’u ulur në bisedime mbi një plan afatshkurtër dhe afatmesëm mbi këtë situatë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.