Rindërtimi i shkollës “Jeronim de Rada” – Firmoset marrëveshja e grantit 1.35 mln UDS me Katarin
Shkolla “Jeronim de Rada” do të marrë së shpejti një pamje të re. Fondi për Zhvillim i Katarit dhe qeveria e Shqipërisë kanë nënshkruar një marrëveshje granti me vlerë 1.35 milionë dollarë për të financuar projektin e rindërtimit të kësaj shkolle.
Marrëveshja për rikonstruksionin e godinës ku mësojnë 1100 nxënës u nënshkrua nga ambasadori i Kararit në Shqipëri, Ali bin Hama dal-Marri dhe kryetari bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ambasadori Al-Marri tha se projekti ka për qëllim sigurimin e një mjedisi të ri mësimor modern të mësimdhënies në Tiranë.
“Rikonstruksioni i shkollës “Jeronim de Rada” në Tiranë është një projekt që i shtohet projekteve të tjera, dhe që shënon një fazë të re bashkëpunimi të përbashkët ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë miq. Me këtë rast, dua të theksoj se Ambasada e Shtetit të Katarit nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të mbështetur të gjitha nismat që synojnë arritjen e këtij qëllimi”, tha Ambasadori i Katarit.
Ndërkohë, nga ana tjetër, kryebashkiaku, Veliaj vlerësoi mbështetjen e ofruar nga Katari, çka sipas tij do të kontribuojë në promovimin e marrëdhënieve midis dy vende në fusha të ndryshme.
“Ky është një projekt special për të dy: edhe për ambasadorin Al Marri, por edhe për ne si Bashki e Tiranës, për rikonstruksionin e plotë dhe shtimin e hapësirave në shkollën “Jeronim de Rada”, një nga shkollat kryesore 9-vjeçare të kryeqytetit. Në këtë projekt na janë bashkuar miqtë tanë nga Katari, për të transformuar totalisht realitetin e kësaj shkolle. Kemi vite që ndjejmë nevojën për ndërhyrje në atë shkollë: do të shtojmë një palestër të re, do të bëjmë të gjitha punimet e brendshme dhe të jashtme, do të rregullojmë të gjitha terrenet sportive, për ta kthyer në një shkollë me një turn mësimi, me sistem të ri të ngrohjes dhe ftohjes, me kushte ideale për arsimimin e fëmijëve”, tha krybashkiaku.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.