Rindërtohen së shpejti ura lidhëse Vermosh-Velan-Velipojë dhe ato mbi Osum – Detajet e investimeve
Dy tendera janë hapur zyrtarisht për projektimin e tre urave në vend në kuadër të rritjes së sigurisë dhe mirëmbajtjes së këtyre veprave të artit. Më konkretisht, bashkia Malësi e Madhe ka përcaktuar një fond limit prej 2.2 milionë lekësh për projektimin e urës lidhëse të tre fshatrave Vermosh-Velan-Velipojë, ku kohëzgjatja e kontratës është 15 ditë nga nënshkrimi i saj.
Ura ekzistuese në këtë zonë është e dëmtuar për shkak të kushteve atmosferike kryesisht. Por, nga detajet e investimit së shpejti ura e re që do të ndërtohet do të përfshijë të gjithë elementët e infrastrukturës rrugore të nevojshme. Ndërkohë, me projektin e kësaj vepre arti do të përfshihen edhe rrugët hyrëse dhe dalëse afro 100 m në të dy anët si dhe mbrojtja lumore.
Ndërsa, dy investime të tjera do të kryhen nga Bashkia Ura Vajgurore, një projekt i cili përfshin rikonceptimin e dy urave ekzistuese të ndërtuara mbi lumen Osum. Njëra prej tyre është Ura e re e Varur, e cila shërben si arterie kryesore lidhëse në dy anët e lumit për këmbësorët.
Ndërkohë, rikonstruksionit do t’i nënshtrohet edhe ura automobilistike, një vepër arti e ndërtuar rreth viteve 1970 e cila shërben për trafikun transit nga Poshnja në drejtim të qytetit të Kuçovës dhe Beratit. Fondi limit i vënë në dispozicion nga Bashkia Ura Vajgurore për këtë investim kap shifrën e 5.8 milionë lekësh.
Vetëm pak ditë më parë zv.ministri i MIE, Artan Shkreli, tha se deri më tani janë inspektuar në të gjithë vendin 652 ura, ku kanë shfaqur problemë pjesa më e madhe e tyre, kryesisht në zonën veriore të vendit.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.