Ringjallet” tregu i punës – Papunësia ulet me 2.5 për qind, rritet punësimi
Tregu i punës ka filluar të rigjallërohet pas pasojave të rënda që shkaktoi pandemia COVID 19 gjatë vitit 2020. Sipas të dhënave të INSTAT në tremujorin e dytë të vitit, niveli i papunësisë u ul me 2,5 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020 dhe me 1,9 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart regjistrohet 11,6 %.
Ndërsa nga ana tjetër, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 1,0 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020, dhe me 2,9 %, krahasuar me tremujorin e parë 2021. Gjatë periudhës Prill-Qershor të këtij viti, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 1,1 %. Punësimi u rrit me 2,4 % në sektorin e industrisë, me 1,1 % në sektorin e shërbimeve, dhe 0,2 % në sektorin e bujqësisë.
Në tremujorin e dytë 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç, është 69,0 %. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 0,9 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm rritet me 1,5 pikë përqindje.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.