Rinia serbe kundër anëtarësimit në NATO – Të demoralizuar për integrimin europian
Gati 88 për qind e studentëve të Universitetit të Beogradit besojnë se Serbia nuk do t’i bashkohet NATO-s. Këto janë rezultatet e fundit të një sondazhi të kryer nga Qendra për Politika Publike Ndërkombëtare.
Në anketim morën pjesë 1323 studentë nga 38 fakultete të Universitetit.
Sondazhi tregoi gjithashtu se vetëm 28,9% e studentëve do të votonin në favor të anëtarësimit në Bashkimin Europian, 8% nuk do të votonin, ndërsa 22,4% nuk mbanin një qëndrim për këtë çështje.
Gjysma e studentëve tha se Serbia nuk do të bashkohet në BE, ndërsa vetëm 24 menduan se një gjë e tillë do të ndodhë.
Sipas pjesës më të madhe të rinisë serbe që mori pjesë në sondazh, është statusi i “Kosovës dhe Dukagjinit” pengesa kryesore që Serbia të bëhet vend anëtar.
Sa i takon marrëdhënieve me fqinjët, studentët mendojnë se ato janë më të këqija me Shqipërinë, Kroacinë dhe Malin e Zi, ndërsa janë më të mira me Rumaninë, Hungarinë dhe Bullgarinë.
Shumë studentë u shprehën të pakënaqur edhe me marrëdhëniet e shtetit me diasporën serbe, teksa vetëm 15% thanë se ishin në rregull.
Ndërsa për institucionet e tjera ndërkombëtare si Organizata e Traktatit për Sigurinë e Përbashkët, që mbledh Rusinë dhe vendet e Kaukazit, dy të tretat e studentëve nuk kishin një opinion të caktuar.
Studentët u shprehën se nuk janë të informuar me aktivitetin e Serbisë në OKB, ndërsa mendojnë se vendi duhet të anëtarësohet në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Në përgjithësi, 50,8% e të anketuarve mendojnë se politikat e jashtme serbe është e keqe.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.