Rinovimi i autorizimeve celulare – Frekuencat tregtohen me çmime sekrete
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka nisur procedurat e rinovimit të autorizimit të operatorit Albtelecom për brezat e frekuencave 900 dhe 1800.
Bëhet fjalë për licencën që Albtelecom e mori në vitin 2004, si pjesë e paketës së privatizimit. Por, procesi nuk po kalon pa debate. Albtelecom ka argumentuar që realisht po i shfrytëzon frekuencat vetëm prej vitit 2008, kur nisi aktivitetin operatori Eagle Mobile. Ofrimi i shërbimeve ishte i lidhur me procedurat e privatizimit, të cilat u zvarritën pas ndryshimit të pushtetit, në vitin 2005. Qeveria e djathtë e pezulloi shitjen te grupi Çalik, derisa ky i fundit përfshiu në konsorciumin blerës edhe kompanitë Turkcell, si investitor i specializuar.
Për këtë arsye, Albtelecom ka kërkuar shtyrjen e afatit të vlefshmërisë me 4 vjet për frekuencat e brezit 900 MHz dhe me 5 vjet afatin e vlefshmërisë për frekuencat e brezit 1800 MHz. Pretendimi i Albtelecom nuk duket aspak i pabazë, edhe po të kemi parasysh precedentin e AMC-së, ku vlefshmëria 15 vjeçare e licencës u llogarit që nga data e privatizimit, megjithëse kompania e kishte nisur aktivitetin që në 1996. Por, pavarësisht nga kjo, AKEP dhe Ministria e Infrastrukturës insistojnë në qëndrimin se autorizimi i Albtelecom për frekuencat në fjalë përfundon këtë vit dhe duhet të rinovohet. AKEP miratoi zyrtarisht javën e kaluar edhe propozimin për çmimin minimal që do t’i kërkohet operatorit për të rinovuar autorizimin.
Mbështetur në një Vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2014, çmimi i kërkuar nuk bëhet publik dhe i gjithë procesi zhvillohet përmes negociatave konfidenciale mes palëve. Fakti që asete të çmuara publike, si frekuencat, tregtohen me negociata të fshehta dhe çmimet nuk bëhen publike është një paradoks më vete. Një praktikë e tillë lë shteg për abuzime dhe e bën procesin lehtësisht të para gjykueshëm. Sidoqoftë, dy operatorët e tjerë, Telekom Albania dhe Vodafone Albania e kanë kryer këtë procedurë përkatësisht në vitet 2015 dhe 2016. Megjithëse AKEP nuk i ka bërë zyrtarisht publike shifrat, vlerësohet se secila prej kompanive pagoi rreth 10.9 milionë euro për rinovimin 15 vjeçar të autorizimit individual. Pagesat e larta për spektrin po rrezikojnë të bëhen një pengesë në zhvillimin e tregut të telekomunikacioneve.
Tenderi për frekuencat e brezit 800 Mhz dështoi në dhënien e dy të drejtave të përdorimit nga tre të parashikuara gjithsej, sepse Telekom Albania dhe Albtelecom nuk paraqitën oferta. Në vitet e fundit, fitimet kanë rënë në mënyrë drastike dhe interesi i investitorëve për tregun gjithashtu. Grupi grek OTE e nxori në shitje vitin e kaluar kompaninë Telekom Albania, ndërsa në fund të vitit 2017, edhe operatori Plus u tërhoq nga tregu. Ndërkohë, në një dekadë, biznesi i Albtelecom në segmentin e tregut celular ka qenë vazhdimisht me humbje. Me daljen e një operatori tjetër, tregu do të rikthehej në kushtet e duopolit, çka mund të cenojë rëndë konkurrencën dhe interesat e përdoruesve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.