Rinovimi i konvikteve – Komisioni i Ligjeve voton grantin 2.03 mln euro nga qeveria gjermane
Godinat e strehimit të studentëve, pranë Qytetit Studenti do t’i nënshtrohen një rinovimi të plotë për përmirësimin e kushteve dhe eficencën e energjisë. Qeveria gjermane jep grantin prej 2.03 mln eurosh për investim, grant i cili ka kaluar me të gjitha votat në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Por sipas deputetes së Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, ky grant vjen në një kohë ku ende nuk është ratifikuar i pari në shumën prej 4.5 mln eurosh, pretendim i cili është hedhur poshtë nga zv ministri i infrastrukturës dhe energjisë, Ilir Bejtja
“Pse 4.5 milionë euro nuk ratifikohet në marrëveshje dhe ju detyron qeveria gjermane që 2 milionë euro t’i ratifikoni me marrëveshje?”, pyeti Çupi.
“4.5-sa ka kaluar. Kampusi universitar i referohet qytetit Studenti 1 dhe konviktet e qytetit studenti, ky është kampusi universitar”, u përgjigj Bejtja.
Ky është granti i dytë i qeverisë gjermane , i pari është ratifikuar në parlament në vitin 2016. Shuma e dhuruar nga qeveria gjermane në këto dy vite për rinovimin e konvikteve është 6.53 milionë euro.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.