Rinovimi i letërnjoftimeve, apeli i Presidentit: Mos neglizhoni dhe mos e lini aplikimin për në çastin e fundit!
Kreu i Shtetit Ilir Meta u bën apel qytetarëve që po u skadojnë letërnjoftimet që tëmos e lënë aplikimin për ditët e fundit.
“U paraqita sot pranë zyrës së Gjendjes Civile në Njësinë Administrative nr.13 në Tiranë, për t’u pajisur me kartën e re biometrike të identitetit ID. Kur na ndajnë edhe 86 ditë nga zgjedhjet e shumëpritura të 25 prillit 2021, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të verifikojnë afatin e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit.
Rinovimi i tyre është i domosdoshëm! Mospasja e një karte të vlefshme ID është pengesë serioze për të ushtruar të drejtën kushtetuese të votës. Mos neglizhoni dhe mos e lini aplikimin për në çastin e fundit!” shkruan presidenti në mesazhin e tij.
Gjithashtu, ai i fton qytetarët që të verifikojnë sa më parë emrin në listën e zgjedhësve, si dhe vendndodhjen e qendrës së votimit.
“Në rast se vini re parregullsi tek të dhënat, paraqituni menjëherë pranë zyrës së Gjendjes Civile në Njësinë tuaj Administrative. Është thelbësore, që të gjithë qytetarët me të drejtë vote, të kenë mundësi të marrin pjesë në referendumin historik të 25 prillit. Të votosh është e drejtë, por edhe një përgjegjësi e lartë qytetare. Çdo neglizhencë në këtë drejtim penalizon të ardhmen europiane të vendit” përfundon mesazhin e tij Presidenti.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.