Rinovohet flota e Policisë së Shtetit – I shtohen 134 mjete të reja
134 mjete të reja do t’i shtohen flotës së Policisë së Shtetit. Në ceremoninë e vënies në përdorim të tyre, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, tha se flota e re do të përdoret në përmbushjen e detyrave të policisë në patrullim sipas juridiksionit të strukturave në kontrollin e territorit e policisë rrugore, ndërsa shtoi se do të përmirësojë më tej performancën e strukturave policore.
“Rinovimi i flotës të policisë me automjete të reja dhe cilësore, do të përmirësojë akoma më tej performancën e strukturave policore, duke ofruar një shërbim të shpejtë dhe efikas për publikun dhe njëkohësisht do të përmirësojë kushtet e punës dhe shërbimit të punonjësve të Policisë së Shtetit.”
Flota është mundësuar me financimin e buxhetit të shtetit me një kontratë 4-vjeçare.
“Kjo është mundësuar me financim të Buxhetit të Shtetit, me kontratë leasing operacional për 4 vite dhe është në vazhdën e projekteve të Qeverisë për modernizimin dhe përmirësimin e kapaciteteve logjistike të Policisë së Shtetit. Marrja me qira e mjeteve te transportit rrugor sot konsiderohet si modeli më efektiv i përdorimit të flotave të makinave për qëllime pune në institucione, nisur nga avantazhet financiare dhe operative, të cilat janë të provuara në kohë”, shtoi ndër të tjera Veliu.
Ndërkohë, sipas kreut të Policisë së Shtetit, këtij projekti do t’i bashkëngjitet edhe dhurimi i 30 motoçikletave të reja nga OSHE, që do të patrullojnë nëpër rrugët e kryeqytetit në përdorim të skuadrave “Shqiponja. Modernizimi i flotës përfshin automjete, drone për monitorimin nga ajri, furnizimin me uniforma për të gjithë personelin si dhe shumë elementë të tjerë të logjistikës.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.