Riparime në HEC Fierzë – KESH jep 26.2 mln lekë për “rrjedhjet e bitumit nga agregati nr 2”
Në HEC Fierzë ka nevojë për ndërhyrje dhe riparime në agregatin nr.2. Sipas të dhënave të KESH sha.a duhet që të bëhet një ndërhyrje për riparimin e rrjedhjeve të materialit bituminoz nga pjesa e jashtme e dhomës spirale tek agregati nr.2 dhe zëvendësimi i tij.
Për këtë qëllim KESH ka hapur një tender në vlerën e 26.2 milionë lekë pa TVSH. Subjekti që do të shpallet fitues duhet që brenda 24 javëve të përcaktojë gjendjen aktuale tek secili agregat si dhe të marrë të gjitha masat për rregullimin dhe përmirësimin e situatës së tyre.
Gjatë viteve të shfrytëzimit të HEC Fierzë, janë kryer ndërhyrje në nyje të veçanta sidomos në sistemin e kushinetave pasqyrë të cilat më vonë u zëvendësuan me teknologji të prodhimit perëndimor (Voith Austri).
Në vitet 2001- 2006, u realizua projekti i rehabilitimit të HEC Fierzë. Gjatë rehabilitimit përveç të tjerave u zëvendësuan rrotat e punës së turbinave tek dy agregate (2 dhe 4) duke bërë që të rritet rendimenti i tyre.
Për rehabilitimin e HEC Fierzë janë shpenzuar 22 milionë euro ndër të cilat 17 milionë euro për pajisje elektromekanike dhe 5 milionë euro për punime civile.
Thatësira e tejzgjatur ka shteruar nivelin e liqenit të Fierzës, duke e çuar atë në nivelin e 269 metra mbi nivelin e detit.
Kjo ka bërë që gati 80% e energjisë elektrike që hidhet në rrjet të importohet. Aktualisht deri më tani OSHEE ka shpenzuar rreth 52 milionë euro në total për blerjen e energjisë elektrike.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.