Rishpërndahet numri i punonjësve të institucioneve qendrore – AKSHI shton 182 punonjës
Gjatë mbledhjes së qeverisë në Fier, Këshilli i Ministrave vendosi të bëjë rishpërndarjen e numrit të punonjësve organikë në njësitë e qeverisjes vendore për vitin aktual. Ndryshimi bëhet kryesisht për efekt të lirimit të numrit të të punësuarve të parashikuar në buxhetin e Ministrisë së Financave, për shtesën prej 182 personash në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Dixhitalizimi i shërbimeve të administratës dhe procesi i derregullimit të dokumenteve të kërkuara në sportelet dhe zyrat shtetërore ka rritur nevojën për shtimin e stafit të AKSHI.
Si pasojë, numri i punonjësve të Ministrisë së Brendshme reduktohet me 10 veta, Ministria e Bujqësisë redukton 7 veta, Ministria e Drejtësisë 7 veta, Ministria e Financave dhe Ekonomisë reduktohet me 92 veta, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë reduktohet me 4 veta, Ministria e Mbrojtjes reduktohet me 2 veta, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit reduktohet me 2 veta, Ministria e Kulturës reduktohet me 7 veta dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale reduktohet me 27 veta.
Shkurtimet kanë prekur edhe numrin e punonjësve në Agjencinë e Prokurimit Publik, e cila reduktohet me 4 veta, Agjencia e Zhvillimit të Territorit reduktohet me 2 veta, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar reduktohet me 1 vetë, ADISA reduktohet me 5 veta, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor reduktohet me 3 veta, Inspektorati Qendror reduktohet me 4 veta dhe Departamenti i Administratës Publike reduktohet me 5 veta.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.