Rivlerësimi i pasurive, Ahmetaj: Formalizohet tregu, përfitojnë qytetarët
Shtyrja e afatit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme do të ketë efekte pozitive në formalizimin e tregut dhe përfitimin e qytetarëve. Kështu u shpreh, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili prezantoi nismën e qeverisë para komisionit të Ekonomisë.
Por deputeti i LSI, Përparim Spahiu, u shpreh se më mirë të rishikohet niveli i tatim fitimit prej 15% i kësaj takse, sesa të ketë ulje të tij në periudha të ndryshme.
Projektvendimi i Qeverisë për shtyrjen e afatit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme po diskutohet në komisionet parlamentare me procedurë të përshpejtuar.
Po sipas relacionit, nga periudha 1 shtator 2016 deri me 15 janar të vitit 2017, rezulton se numri i aplikimeve për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme në total është 22 mijë e 631, nga të cilat 18 mijë e 538 aplikime janë paguar dhe për 4 mijë e 93 aplikime pritet të kryhet pagesa.
Ndërkohë, e përkthyer në vlerë, vlera e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme për të cilat është aplikuar (2 %) rezulton të jetë 2.1 miliardë lekë, nga të cilat 1.4 miliardë lekë janë paguar dhe 750 milionë pritet që të arkëtohen.
Violeta Shqalsi/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.