“Roam like home” – Rezolutë për heqjen e roaming me Kosovën
Komisioni i Veprimtarive Prodhuese i propozoi Kuvendit një rezolutë që do të parashikojë heqjen e tarifave roaming me Kosovën. Një propozim i ngjashëm për heqjen reciproke të këtyre tarifave është paraqitur edhe në Kuvendin e Kosovës.
Këto nisma shënojnë hapin e parë në kuadrin e një strategjie më të gjerë, për heqjen e tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Që në vitin 2015, katër vende të rajonit tonë nënshkruan një marrëveshje për uljen e tarifave roaming, por Shqipëria nuk u përfshi në atë marrëveshje. Arsyeja kryesore lidhet me kundërshtimin e operatorëve telefonikë, që do të humbisnin të ardhura prej heqjes së tarifave roaming.
Megjithatë, edhe Shqipëria po ndërmerr hapat e para në këtë drejtim, nën trysninë e fortë të Komisionit Europian. Prej qershorit 2017, Bashkimi Europian ka vendosur heqjen e tarifave roaming në hapësirën e përbashkët.
Anëtarët e opozitës në komisionin e veprimtarive prodhuese nuk iu bashkuan diskutimeve për rezolutën.
Nënkryetari, Florion Mima, ngriti shqetësimin për disa çështje, sipas tij shumë më të rëndësishme, që lidhen me keqqeverisjen dhe janë bërë shkak për mos hapjen e pritshme të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.