Robotët kërkojnë punëtorë të kualifikuar!
Ata mund të ndjekin lëvizjet njerëzore, të kryejnë gjeste njerëzish dhe madje të performojnë saktësisht këngët tuaja të preferuara.
Të quajtur RoboThespian, robotët humanoid janë projektuar dhe prodhuar nga kompania britanike Engineered Arts.
Por Will Jackson, themelues dhe drejtor i firmës robotike, tha se robotët nuk do të zëvendësojnë punonjësit e tij të vërtetë për një kohë të gjatë. Në vend të kësaj, ai përballet me një problem tjetër – nuk mund të gjejë mjaftueshëm punëtorë të kualifikuar.
“Ne jemi gjithmonë në kërkim të punëtorëve të rinj”, thotë Jackson. “Problemi ynë më i madh është se nuk ka shumë ekspertë në robotikë dhe kërkesa është shumë e madhe”.
Engineered Arts, e ndodhur në jugperëndim të Anglise, punëson më shumë se një duzinë punëtorësh, nga mekanika tek zhvilluesit e lëvizjes. Ajo dizenjon dhe prodhon pothuajse çdo pjesë të robotëve në fabrikën e tyre.
“Ky është një rast i robotëve që bëjnë punë, jo robotë që marrin punë”, shprehet Jackson.
Engineered Arts bën pjesë në mesin e një numri gjithnjë në rritje të kompanive që janë më pak të shqetësuar për robotët që zëvendësojnë vendet e punës, sesa me gjetjen e punëtorëve të kualifikuar në një ekonomi gjithnjë e më të automatizuar.
Ndërsa kërkimet ndryshojnë në sa vende pune do të humbasin për robotë, shumica e ekspertëve pajtohen se aftësitë e nevojshme për të vepruar në fuqinë punëtore të ardhshme po ndryshojnë me shpejtësi.
“Aftësitë digjitale, aftësitë e IT, të gjitha aftësitë e STIM (Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës) janë vërtet shumë të rëndësishme për punëtorët e së ardhmes”, tha Stefano Scabbio, president i Evropës Veriore, Mesdhetare dhe Lindore në Grupin Manpower , një firmë globale e punësimit.
Në një sondazh të janarit të 20,000 punëdhënësve nga 42 vende, ManpowerGroup zbuloi se 86 për qind e kompanive planifikojnë të rrisin ose mbajnë numrin e personelit gjatë dy viteve të ardhshme për shkak të automatizimit, me fitimet më të mëdha në IT, shërbimin ndaj klientit dhe sektorët e avancuar të prodhimit.
“Teknologjia krijon vende pune duke mundësuar krijimin e industrive dhe profesioneve të reja”, tha studimi dhe Jackson i Engineered Arts pajtohet tërësisht. Ai thotë se gjithmonë kërkon të punësojë punëtorë që kanë njohuritë mekanikës, elektronikës, softuerit dhe dizajnit për t’i sjellë robotët e tij në jetë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.