Rregullimi i tregut celular – AKEP refuzon rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka refuzuar përfundimisht rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës për të zgjeruar rregullimin në tregjet e telefonisë celulare. Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar në mënyrë të përsëritur vitet e fundit vendosjen nën rregullim të tregut me pakicë dhe shpalljen e operatorit më të madh Vodafone Albania si Operator me Fuqi të Ndjeshme në këtë treg. Kjo do të sillte edhe detyrimin për rregullim të tarifave me pakicë të këtij operatori. Rekomandimet përfshinin gjithashtu detyrimin e Vodafone për t’u dhënë akses në rrjetin e vet operatorëve të rrjeteve virtualë, kundrejt kushteve të përcaktuara paraprakisht nga AKEP. Operatorët e rrjeteve virtualë janë kompani që nuk kanë një infratrukturë rrjeti të vetën, por ofrojnë shërbim nga rrjetet e operatorëve celularë. Ky është një model i njohur në tregjet e tjerë dhe Shqipëria është një ndër të paktët vende në Europë që nuk ka operatorë të tillë. Themeli i rregullimeve të mësipërme do të ishte vendosja nën rregullim tregut e akses-origjinimit të thirrjeve celulare.
Por, Këshilli Drejtues i AKEP vendosi se testi kyç në tregjet e telekomunikacioneve, ai i tre kritereve, nuk justifikon vendosjen e tregut të akses-origjinimit në rregullim paraprak. Testi i tre kritereve parashikon se, që tregu të vendoset nën rregullim paraprak, duhet të plotësohen njëkohësisht tre kritere: ekzistenca e barrierave të larta dhe të qëndrueshme për hyrjen në treg; mungesa e një tendence të tregut për të shkuar drejt konkurrencës efektive; pamjaftueshmëria e ligjit për mbrojtjen e konkurrencës për të adresuar problemet e tregut në fjalë.
Në konkluzion, AKEP shprehet se ndërhyrja paraprake për përcaktimin e sipërmarrësit me fuqi të ndjeshëm në treg dhe vendosja e detyrimeve rregullatore përkatëse, nuk paraqiten si masa në përpjestim të drejtë me objektivin e mbrojtjes së konkurrencës së lirë.
Mbështetur në të dhënat më të fundit zyrtare te AKEP, në vitin 2018 Vodafone Albania zotëronte gati 55% të tregut sipas totalit të të ardhurave dhe rreth 52% të tregut sipas trafikut të të dhënave, thirrjeve dhe mesazheve të shkruara.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.